Ekvalis
17.1.2023
Настани
Arsimimi paqësor i përfshin elementet kryesore të arsimimit dhe paqes. Nën termin proces arsimor nënkuptojmë përcjellje njohurish dhe aftësish në mënyrë të organizuar, sistematike, institucionale dhe formale, si dhe përcjellje e vlerave dhe normave elementare të cilat janë të pranueshme në një shoqëri të caktuar, por që nuk e përfshin konceptin e paqes. Para së gjithash, duhet të bëjmë dallim të rëndësishëm mes paqes pozitive dhe asaj negative. Paqja negative definohet si mungesë e dhunës së madhe fizike, ose mungesë e gjendjes së luftës. Paqja pozitive nënkupton zhvillimin e një shoqërie ku përveç mungesës së dhunës së drejtëpërsëdrejtë, nuk kemi dhunë strukturore ose padrejtësi shoqërore. Sipas kësaj, arsimimi i paqes mund të definohet si lëmi interdisciplinare e arsimit, qëllimi i së cilës është të arrihet arsimimi për paqe në nivel institucional.
Arsimimi paqësor ka për qëllim t’u ndihmojë nxënësve të marrin aftësi për të identifikuar një situatë konfliktuoze, të dijnë se nuk duhet të përdoret dhuna për zgjidhjen e konflikteve dhe t’i forcojnë aftësitë për veprim aktiv dhe të përgjegjshëm në shoqëri për promovimin e vlerave të paqes. Për dallim të konceptit të zgjidhjes së dhunës, i cili mund të konsiderohet si retroaktiv - veprimi për të zgjidhur problemin e dhunës pasi ky ka ndodhur - arsimimi paqësor ka qasje më proaktive. Qëllimi i tij është që prej më përpara të ndalohet konflikti, para se të ndodh ai, dhe më mirë të edukohen fëmijët dhe shoqëria për ekzistencën e jodhunës, bazuar në themelet e jodhunës, në barabarësi gjinore, tolerancë, barabarësi, respektim të të drejtave njerëzore, respektim të dallimeve dhe inkluzion shoqëror dhe drejtësi.
Rekomandime për implementimin e arsimimit paqësor:
- Arsimimi paqësor gjithmonë duhet të niset nga problemet dhe situatat aktuale me të cilat ballafaqohen të rinjtë, duke mos i anashkaluar edhe kontestet shoqërore dhe politike të së kaluarës.
- Krahas komponentës përmbajtësore të arsimimit paqësor të promovon inkluzion, ai duhet të jetë i reflektuar edhe në grupet ku ai aplikohet, gjegjësisht duhet të kyçet një numër i barabartë i vajzave dhe djemve, vajzave nga mjediset rurale, nxënës të minoriteteve etnike, LGBT+ të rinj, si dhe persona me aftësi të kufizara.
- Shumë është me rëndësi që arsimimi paqësor të implementohet në mjedise ku të rinjtë asnjëherë nuk kanë pasur kontakt me arsimimin joformal dhe nuk janë takuar me temat të cilat i trajton arsimimi paqësor.
- Nën arsimim paqësor duhet të inkorporohen edhe problemet e barabarësisë gjinore në të gjitha temat dhe aspektet e punës.
- Arsimimi paqësor duhet ta sfidojë patriarkatin dhe të rinjve t’ju japë kurajo që t’i shqyrtojnë besimet të cilat në mënyrë të drejtpërsëdrejtë ndikojnë në ardhmërinë e tyre.
- Arsimimi paqësor duhet t’i ketë parasysh mjediset e mediumeve në të cilat të rinjtë funksionojnë, manifestojnë dhe përballohen me sfidat të cilat i përpunon arsimimi paqësor.
- Aplikimi efektiv i arsimimit paqësor nënkupton pjesëmarrje me metoda kreative të cilat do t’i edukojnë të rinjtë, siç janë : forumi - teatri, teatri i imazheve të ngrira, teatri i hijeve, poezia slem , grafitet, ekspozitat , inçizimi i videove ose fotografimi.
- Kuadri i arsimtarëve dhe profesorëve duhet të kalojë nëpër trajnime dhe seminare për trajnim adekuat për prezantimin e arsimimit paqësor nëpër shkolla.
- Shërbimet profesionale të shkollave (psikologu, pedagogu dhe defektologu) duhet të jenë të sensibilizuar për ndjekjen e nxënësve të cilët janë kyçur në ciklin edukativ të arsimimit paqësor.
- Shkollat duhet të bashkëpunojnë me organizatat qytetare dhe punëtoritë rinore të cilat kanë përvojë ekzistuese në lëminë e arsimimit paqësor.
- Institucionet arsimore relevante të sistemit duhet të japin mund më të madh që të implementohet arsimimi paqësor në sistemin formal edukativo-arsimor.